Programi i Bashkimit Evropian Erasmus +

Shkolla e Lartë Universitare Jopublike “Universiteti Marin Barleti” (UMB) është Institucion Jopublik i Arsimit të Lartë, i krijuar më 2005 nga “Marin Barleti “ SHA, pjesë e Grupi Investues DUDAJ, i cili ka për objektiva:
• Kërkim – Zhvillim dhe Arsimim në Arsimin e Lartë;
• Zbatim të dijeve në projekte me komunitetin;
• Shërbime për shoqërinë.

IAL i Gjeneratës së III-të të Universiteteve UMB synon me ambicje drejt internacionalizimit. Nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me Shoqërinë Civile dhe biznesin, duke shfrytëzuar kapacitetet e Katedrës Jean MONET dhe Katedrës UNESCO, UMB ka si qëllim të kontribuojë në zhvillimin e dijeve dhe njohurive në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, brenda profileve të fushave të saj të studimit: ekonomi–financë, drejtësi, shkenca sociale e politike, administrim publik, edukim, sporte dhe rekreacion, arkitekturë, IT, inxhineri dhe trajnim në mësuesi. Institucioni vijon të inkubojë mjedise të reja akademike e kërkimore-zhvillimore të pasura me profile ndërkombëtare si dhe të shtojë marrëveshjet ndërinstitucionale për lëvizjen e studentëve në të gjitha ciklet e studimit; më tej, institucioni lidh marrëveshje të përshtatëshme për lëvizjen e personelit për mësimdhënie e kërkim-zhvillim dhe trajnime. Institucioni është i përkushtuar që të krijojë të gjitha mundësitë dhe lehtësitë për pritjen dhe akomodimin e studentëve dhe stafit akademik ndërkombëtar. Ai planifikon të vlerësojë ofrimin e programeve të studimit ose klasave të veçanta edhe në disa nga gjuhët e Bashkimit Evropian, për t’i bërë ato më tërheqëse si dhe për të lehtësuar integrimin e studentëve të huaj dhe pedagogëve të ftuar në kuadër të shkëmbimeve akademike. Asambleja e Aksionarëve ka përpunuar skemën organizative për zhvillimin e një strategjie institucionale për komercializimin e dijeve dhe zhvillimin e sipërmarrjes nga institucioni, në bashkëpunim me institucione homologe dhe biznesin.

Për më shumë klikoni: POLITIKA INSTITUCIONALE ERASMUS+